Bashkohuni
kunder sistemit

Shqiptarë mos studioni!

Nga Elidon Lama Në shqipëri të studiosh do të thotë ta dënosh veten me një jetë modeste, herë-herë mediokre, mes njëqind hallesh dhe problemesh. Dija, njohuritë dhe profesionalizmi në Shqipëri janë mallkim. Mos studioni, sepse do ta gjeni veten të përbuzur, të përçmuar e të injoruar. Tashmë është e qartë. Vetëm një ëndërrimtar apo një idealist i sëmurë nuk do ta kuptonte se cila është rruga që të promovon e që të çon drejt suksesit në këtë vend. Sa më parë të përshtatemi me sistemin, aq më të suksesshëm mund të bëhemi. Nqs dikush akoma nuk është i bindur, atëherë le të bëjë diçka shumë të thjeshtë; le të bëjë një krahasim mes vetes dhe shokëve të tij të klasës, të lagjes apo të fëmijërisë. Kush ka qenë më i suksesshëm në jetë? Ka qenë ndonjëri që ka studiuar e është shkolluar, apo dikush që ka bërë pak klasë shkollë (pavarësisht sa diploma mund të ketë në xhep) por që është treguar çun apo gocë e shkathët? E vetmja gjë që mund të përfitoni në Shqipëri nga dija dhe njohuritë tuaja do të jetë një punë 8 me 4 si nënpunës a punonjës i thjeshtë, ndërsa një çun i shkathët do të jetë shefi juaj. Do të paguani shtëpinë tuaj me qera, apo nqs do të keni pak fat mund edhe të arrini të merrni nje kredi 20 vjeçare për të pasur një apartament modest, ndërsa një tip i shkathët do të ketë ndërtuar vilën e tij me pishinë në një zonë rezidenciale. Ndoshta me ca sakrifica e kursime do të mund të blini një makinë të thjeshtë për të shkuar ndonjë fundjave me të dashurën diku apo për të çuar fëmijët në kopësht, ndërsa një tip i shkathët do të ketë një makinë më të shtrenjtë se vetë shtëpia juaj. Në Shqipëri të qenurit ”tip i shkathët” është e vetjma rrugë që do t’ju krijojë mundësinë të keni sukses në jetë. Prandaj, sa më parë ta kuptojmë këtë dhe të përshtatemi me këtë sistem, aq më mirë do të jetë për secilin prej nesh. Përndryshe, nqs e përbuzni një sistem të tillë, nqs refuzoni ta pranoni këtë pas gjithë sakrificave që keni bërë dhe kohës që keni shpenzuar nga jeta juaj për të përfunduar studimet, nqs mendoni se ata që e mendojmë në këtë mënyrë janë më të shumtë në numër se “tipat të shkathët”, atëherë eja të mblidhemi dhe ta ndryshojmë. Nqs arrijmë të bëjmë këtë, në rregull. Përndryshe boll me pretekste, justifikime dhe me humbje kohe. O-burra, ti futemi punës edhe ne për tu bërë “tipa të shkathët”. Grabitqarët janë zgjuar. “Ligji i xhunglës” po sundon. Më i shkathëti do të mbijetojë, më i ngathëti do të haet!