1. Suksese në jetë
Vetting i pasurisë së çdo politikani që në 30 vitet e fundit ka shërbyer si ministër, kryeministër, president apo kryetar bashkie.
• Ky vetting përfshin edhe familjarët e afërt të politikanëve, duke përfituar nga eksperienca e vettingut të aplikuar në sistemin gjyqësor.
• Çdo pasuri e pajustifikuar që tejkalon 10fishin e rrogës vjetore mesatare, konfiskohet dhe përdoret për të krijuar një fond për edukimin e shtresave në nevojë.
• Me pasurinë e konfiskuar dhe të shitur në ankand krijohet një fond edukimi që shpërndahet në formën e bursave për shkollimin e fëmijëve që vijnë nga shtresat në nevojë.
• Shtëpië e konfiskuara i kalojnë bashkisë për tu përdorur për familjet e regjistruara si të pastrehë.
2. Kriminalizimi i Mashtrimit politik
• Kriminalizimi i mashtrimit politik, duke e përfshirë atë në seksionin e dytë të Kodin Penal, dhe caktuar të njëjtat penalitete si për format e tjera të mashtrimit.
• Pjesë e penaliteteve duhet të jetë edhe konfiskimi i pasurisë së ngritur përmes mashtrimit politik.
3. Përfaqësuesi i shtetit
• Çdo anëtar i kabinetit qeveritar, deputetët dhe kryetarët e bashkive duhet të marrin vetëm shërbime publike në Shqipëri, kur këto shërbime ofrohen nga institutcionet publike. Për shembull, ata duhet të trajtohen vetëm në spitalet publike vendase.
• Ky rregull përfshin edhe familjarët e afërt të funksionarit publik, siç mund të jetë rasti i shkollimit të fëmijëve nën 18 vjeç të cilët duhet të shkollohen në shkollat publike në Shqipëri.
• Gjithashtu për gjatë gjithë mandatit të tyre zyrtarët publik duhet të jetojnë në njësinë vendore që përfaqësojnë apo administrojnë.
• Në rast të mos respektimit të këtij ligji, zyrtarët publik humbasin mandatin e fituar.
4. Transparenca e shtetit
• E drejta për informim merr përparësi mbi të drejtën e autorit, apo të drejtën për privatësi. Për këtë arsye, në të gjitha platformat sociale që transmetojnë në Shqipëri, nuk mund të çensurohet asnjë video që informon publikun mbi veprimtarinë e personave publik, apo për çështje me interes publik.
• Në republikën e Shqipërisë, çdo kontratë që përdor të drejtën e autorit si arsye për të kufizuar lirinë e informimit, bëhet absolutisht e pavlefshme dhe është sikur të mos ketë ekzistuar.
• Publiku ka të drejtë të jetë plotësisht i informuar për administratën publike dhe mënyrën se si ajo e përdor përdor pushtetin shtetëror.
• Për këtë arsye e gjithë lista e punonjësve të administratës publike (përfshi institucionet shtetërore dhe agjensitë e paravarura) duhet të bëhet publike në internet dhe të jetë kurdoherë e aksesueshme nga qytetarët.
• Gjithashtu të gjitha aktet zyrtare duhet të publikohen automatikisht në faqen zyrtare të institucionit që i ka prodhuar, me përjashtim të dokumenteve që klasifikohen me ligj si sekret shtetëror, apo cënojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Referendumet
• E drejta e popullit për të ushtruar demokracinë në mënyrë direkte, përmes referendumeve, nuk mund të kufizohet me ligj.
• Nëse referendumet qëllojnë në një periudhë 6 muaj para apo pas zgjedhjeve (të përgjithshme apo vendore), ato zhvillohen njëkohësisht dhe zgjedhësi voton për të dyja.
• KQZ mban një fond të veçantë i cili përdoret për të mbështetur financiarisht grupimet që kërkojnë të mbledhin firmat e nevojshme për referendum.
• Parlamentit dhe qeverisë iu kufizohet e drejta për të marrë disa vendime të rëndësishme për jetën e qytetarëve, dhe kjo e drejtë iu njihet vetëm popullit, i cili vendos përmes referendumit lokal apo kombëtar.
• Planet rregulluese të qytetit, mund të miratohen vetëm me referendum local, ndërsa lejet për përdorimin e lumenjve dhe konçesionet e tjera që qeveria iu jep privatëve, mund të miratohen vetëm me referendum kombëtar.
6. Tërheqja e të drejtës së përfaqësimit
• Zgjedhësit kanë të drejtë në çdo kohë të tërheqin mandatin e përfaqësimit që i kanë dhënë deputetit, kryetarit të bashkisë apo anëtarit të Këshillit Bashkiak.
• Ky proces administrohet nga KQZ, dhe ndiqen të njëjtat procedura për nisjen dhe administrimin e një referendum lokal.
• Ky proces kërkon mbështetjen e jo më pak se 10% e votuesve të zonës zgjedhore, dhe mund të përdoret jo më shumë se një herë në 4 vjet.
7. Peticioni zyrtar
• Parlamenti vendos në faqen e vet zyrtare një hapësirë, e cila mund të përdoret nga zgjedhësit për të nisur një peticion zyrtar, në lidhje me kalendarin e punimeve të kuvendit.
• Në rast se një çështje merr mbështetjen e 5000 votuesve, Kuvendi është i detyruar ta përfshijë atë në rendin e ditës, së mbledhjes më të afërt duke iu dhënë mundësi deputetëve ta diskutojnë atë në seancë plenare.
8. Asambletë qytetare
• Asambletë qytetare kombëtare dhe vendore, institucionalizohen si organe këshillimore që thirren në raste krizash politike për vendin.
• Të drejtën për të thirrur asamblenë e ka presidenti i republikës.
• Pjesëmarrja në këto asamble është rastësore dhe e balancuar mes kategorive sociale dhe zonave gjeografike. Pasi lista e zgjedhësve ndahet në zona gjeografike, dhe vendosen kutoa për çdo zonë, KQZ zgjedh me short 100 vetë nga lista kombëtare e zgjedhësve.
• Gjithashtu krijohen kuota në Këshillat Bashkiak ku çdo zgjedhës ka mundësi të marrë pjesë direkte në vendimmarrje, pa patur nevojë ta bëjë këtë me ndërmjetësimin e përfaqësuësve. Këto kuota janë për mandate afatshkurtra, dhe anëtarët zgjidhen në mënyrë rastësore nga lista e zgjedhësve të zonës zgjedhore.
9. Demokratizimi i partive
• Partitë Politike duhet të respektojnë detyrimin kushtetues për tu drejtuar në mënyrë demokratike, pasi forma e drejtimit të tyre reflekton mënyrën se si partia qeveris vendin kur vjen në pushtet.
• Partitë detyrohen të zhvillojnë zgjedhje paraprake (primaries) për listat garuese në zgjedhjet vendore dhe kombëtare. Këto zgjedhje administrohen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
• Nuk mund të pengohet në mënyrë direkte apo të tërthortë asnjë qytetar që kërkon të jetë pjesë e një partie politike. Lista e anëtarëve të çdo partie është kurdoherë publike në faqen zyrtare të partisë, dhe një kopje e përditësuar dorëzohet në KQZ gjashtë muaj përpara ditës së zgjedhjeve.
• Partitë që nuk dorëzojnë listën e anëtarëve, si dhe rezultatet e votimeve të brendshme për listën e kandidatëve garues në zgjedhje, nuk lejohen nga KQZ për tu regjistruar në zgjedhje.
• E drejta e kryetarit të partisë për tu rizgjedhur kufizohet, duke penguar krijimin e liderave autoritar brenda partive.
10. Tradita e jurisë dhe demokratizimi i drejtësisë
• Të krijohet institucioni i Jurisë, i cili funksionon pranë Gjykatës së Posaçshme Kundër Korrupsionit.
• Të gjitha çështjet që lidhen me zyrtarë të korruptuar, përfshi edhe anëtarët e trupës gjyqësore, duhet të gjykohet me juri.
• Çështjet penale me objekt padie kontaminimin e ujit, tokës, ajrit apo manipulimin e ushqimeve duke sjellë pasoja në shëndetin e popullatës, duhet të gjykohet me juri.
• Çështjet penale që lidhen me shfrytëzimin e paligjshëm të burimeve natyrore, dëmtimin e natyrës apo trashëgimisë kulturore, duhet të gjykohet me juri.
• Duhet të fuqizohet institucioni i të dëmtuarit akuzues, duke garantuar që qytetarit të dëmtuar t’i ofrohet e gjithë mbështetja dhe liria e nevojshme për të ngritur padi në çështje penale, në rastet kur Prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes.
• Në sistemin gjyqësor duhet të aplikohet transparencë maksimale. Të gjitha seancat gjyqësore të cilat ligjërisht zhvillohen me dyer të hapura duhet të transmetohen live në faqen e internetit të gjykatës.
11. Thyerja e monopoleve
• Ndjekja e politikave anti-trust, për të thyer monopolet në ekonomi: Mos lejimi i pozitave monopol jo-natyral, nëpërmjet forcimit të sanksioneve të akorduara nga autoriteti i konkurencës për shkeljen e garës në treg.
• Gjithashtu kufizimin e të drejtave të pronësisë për kompanitë që janë në pozita monopoli në treg.
• Forcimi i rolit rregullator dhe kontrollues të Bankës së Shqipëisë mbi bankat e nivelit të dytë me qëllim një politikë monetare që përcillet me më shumë efektivitet.
• Forcimi i funksionit të Autoritetit të Konkurencës nëpërmjet forcimit të politikës rregullatore antitrust. Kryetari i Autoritetit të Konkurencës propozohet nga shoqatat e biznesve të vogla dhe zgjidhet nga një shumicë e cilësuar prej tre të pestave në parlament, për të qënë i pandikuar nga mazhoranca politike.
12. Sistemi Zgjedhor Proporcional Kombëtar me Lista të Hapura
• Aplikimi i sistemi zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, për zgjedhjet parlamentare ashtu edhe për ato vendore.
• Heqja e çdo pragu zgjedhor ligjor për të krijuar garë të barabartë për forcat e reja politike si dhe për kandidatët e pavarur.
• Zgjedhjet për kryetar bashkie zhvillohen përmes sistemit maxhoritar me votë suplementare.
• Numërimi i votavë bëhet përmes numëruesve elektronik.
• Duhet vendosur nje tavan per shpenzimet ne fushaten elektorale.
• Buxheti i shtetit per zgjedhjet shpërndahet permes kuponave të demokracisë.
13. Burimet natyrore, pasuri kombëtare
• Burimet natyrore të Republikës së Shqipërisë janë pronë e çdo shqiptari dhe trajtohen si të tilla me ligj.
• Pasuritë natyrore që janë dhënë në administrim privatit, rikthehen nën administrim publik kur konstatohet keqadministrimi i tyre, apo provohet se kontrata konçesionare është produkt i veprës penale.
• Nga administrimi publik i pasurisë natyrore krijohet një fond shtetëror, i cili përdoret për investime strategjike në arsim dhe shëndetësi, dhënie bursash për të rinjtë si dhe ndihmë ekonomike për kategori të ndryshme sociale.
14. Infrastruktura publike
• Shteti garanton shërbimet infrastrukturore të nevojshme, si rrugë, porte detare dhe ajrore, duke përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
• Këto shërbime mund të konkurohen por jo të zëvendësohen nga shërbimet private.
• Në asnjë rast veprat publike që janë ndërtuar nga paratë publike nuk privatizohen. Megjithatë shteti lejon kompanitë private që të krijojnë infrastrukturë paralele duke mos shfrytëzuar paratë publike.
15. Pavarësia e medias
• Pronësia e medias duhet të kufizohet duke detyruar mediat kombëtare që të jenë solidare në posedimin e aksione. Rikthimin e tavanit të aksioneve të lejuara nga një aksioner i vetëm.
• Detyrimin e medias me mbi 50 punonjës që të krijojë sindikatën e punonjësve, si kusht për të marrë apo mbajtur liçencën e transmetimit.
16. Demokratizimi i bujqësisë
• Shteti subvencionon eko-thurjet dhe i lehtëson ato nga taksat.
• Bashkitë ngarkohen që të krijojnë kushtet e nevojshme për ngritjen e tregjeve periodike (në ditë të caktuara të javës) ku fermerët shesin në mënyrë direkte produktet e tyre.
• AKU kujdeset për të promovuar produktet organike vendase.
• Tregjet tradicionale në qytet vetëadministrohen nga një eko-thurje e krijuar prej bizneseve që janë të regjistruara në treg.
17. Siguria e pronës
• Shteti krijon një kompani publike të sigurimit të shtëpive dhe tokave bujqësore, e cila nuk gjeneron fitim nga sigurimi. Ky fond përdoret për të mbuluar dëmet në raste fatkeqësish natyrore.
• Në raste të përmbytjeve të ndodhura nga dalja e lumit nga shtrati, dëmshpërblimi bëhet nga personat juridik apo fizik që kanë shfrytëzuar shtratin e lumit.
• Me qëllim nxitjen e prodhimit vëndas, tokat e pashfrytëzuara taksohen më shumë se tokat e punuara, të cilat përfitojnë mbështetje financiare nga shteti.
• Prona e shpërndarë përmes 7501, e cila për 10 vitet e fundit vazhdon të jetë e pashfrytezuar nga përfituesit e këtij ligji, i rikthehet pronarit të mëparshëm.
18. Një komb, disa shtete
• Të krijohet pasaporta kulturore, e cila iu jepet të gjithë shqiptarëve etnik, kudo ku ata jetojnë, dhe iu garanton disa të drejta dhe detyrime që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë Shqiptare dhe promovimin e kulturës sonë kudo në botë.
• Të ndërtohet një platformë online bashkëpunimi ku të gjithë shqiptarët e diasporës të kenë mundësi të kontribojnë në Shqipëri. Ky bashkëpunim mund të konsistojë në:
o Edukim, ku akademiket shqiptarë në Botë të ndihmojnë në kërkimin shkencor dhe mësimdhënien në universitetet shqiptare
o Politikbërje, ekspertët shqiptarë që punojnë për institucionet ndërkombëtare tu ofrojnë konsulencë institucioneve shqiptare në hartimin e politikave publike më të mira dhe më efektive.
o Integrimin Evropian, ku shqiptarët që kanë shtetësi evropiane të lobojnë pranë institucioneve evropiane, për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në BE.
• Duhet krijuar strategji zhvillimi e përbashkët dhe një treg i përbashkët me Kosovën, duke stimuluar prodhimin dhe tregtimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare (blej shqip).
• Pikat e kontrollit doganor të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të unifikohen dhe të hiqen pikat kufitare mes dy vendeve për të lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, çka përfshin edhe heqjen e tarifave doganore për importin e mallrave.
• Sistemet arsimore harmonizohen duke mundësuar njehesimin automatik të diplomave të marra në të dy shtetet.
19. Shoqëri humane
• Shteti kujdeset për matrikullimin e çdo kafshe që ndodhet në republikën e Shqipërisë. Ministria e Mjedisit dhe bashkitë sterilizojnë të gjithë qentë e rrugës, pasi i regjistrojnë ata në një regjistër kombëtar public.
• Bashkitë monitorojnë origjinën e çdo kafshe të braktisur, dhe detyrojnë pronarin e mëparshëm të kafshës që të mbulojë të gjitha shpenzimet e strehimit të kafshës deri në kalimin e pronësisë tek një person tjetër.
• Ministria e Mjedisit publikon listën e kafshëve të ndaluara për tu mbajtur, duke përfshirë racat e caktuara të qenve të cilët përbëjnë rrezik publik.
20. Minimumi jetik
• Minimumi jetik do të përcaktohet me ligj.
• Bazuar në të dhënat aktuale të INSTAT, ky minimum jetik duhet të jetë jo më pak se 15 dollarë në muaj për person.
• Në bazë të minimumit jetik, duhet të përcaktohet ndihma ekonomike për personat në nevojë, asistenca dhe pensioni minimal.
21. Energji elektrike dhe ujë si e drejtë natyrore
• E drejta për energji elektrike dhe ujë trajtohet si e drejtë natyrore.
• Për familjet që janë me ndihmë ekonomike, shteti garanton energji falas deri në nivelin e nevojshëm për garantuar ndriçimin.
• Për familjet që janë me ndihmë ekonomike shteti garanton ujë falas deri në sasinë minimale për të plotësuar nevojat jetike.
• Përjashtimin e çdo takse që sot mblidhet përmes faturave të energjisë elektrike apo ujit.
• Decentralizimin dhe demokratizimin e prodhimit të energjisë elektrike, duke promovuar, inkurajuar dhe mbështetur prodhimin e energjisë përmes diellit dhe erës.
22. Barazia sociale
• Të gjitha kontratat publike, të cilat në thelb kanë synuar dhënien e ndihmës ekonomike për kompani të mëdha (si psh inceneratorët) do të anullohen, dhe, në rast se vërtetohet që janë kontrata të vesuara, ato do të trajtohen si absolutisht të pavlefshme, duke i kërkuar përfituesit të rikthejë ndihmën ekonomike që ka marrë nga buxheti i shtetit.
• Shteti mbështet sipërmarrjet në biznes të drejtuara nga personat me aftësi të kufizuar si dhe personat që vijnë nga familjet në nevojë.
• Në rastet kur Bashkitë kanë në dispozicion të tyre kioska kinkalerie, ato shpërndahen sipas një skeme nevojë-preferencë, duke i dhënë përparësi kërkesave të ardhura nga personat me aftësi të kufizuar, personave që marrin ndihmë ekonomike, apo personat që janë të regjistruar në regjistrin e papunësisë.
23. Strehimi social
• Me paratë e përfituara nga shitja e burimeve natyrore, qeveria krijon një fond për strehimin, i cili ofron kredi pa interes për personat e regjistruar si të pastrehë.
• Strehimi i familjeve në nevojë bëhet përmes një skeme publike transparente, e cila publikohet online, dhe zhvillohet me një sistem pikëzimi sipas modelit nevojë-preferencë.
• Përparësi kanë prindërit me shumë fëmijë, personat me aftësi të kufizuar, dhe personat që i përkasin grupeve të diskriminuara në shoqëri.
24. Shoqëri solidare
• Çdo godinë publike detyrohet të jetë e aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Policia Bashkiake ngarkohet të verifikojë aksesueshmërinë e godinave publike, përfshi edhe pallatet, nga personat me aftësi të kufizuar.
• Autobuzët duhet të jetë të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar, në të kundërt kompanitë përkatëse humbasin liçencën e transportit.
• Punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar përfitojnë lehtësira fiskale.
25. Ti nuk je vetëm
• Qëndrat spitalore dhe shëndetësore publike ofrojnë shërbim shëndetësor të dedikuar për personat që janë në moshë pensioni, personat me aftësi të kufizuara, minatorët dhe naftëtarët. Gjithashtu qëndrat shëndetësore publike mbulojnë shërbimin palliative për këto kategori sociale.
• Kompanitë e sigurimit të shëndetit që kanë liçencë për të operuar në tregun e sigurimit nuk mund të vendosin kufizime në bazë moshe dhe as nuk mund të diskriminojnë moshën e tretë për të aksesuar sigurimin privat të shëndetit.
• Çdo i ri që jeton me një apo më shumë persona në moshë pensioni, lehtësohet nga taskat vendore.
26. Të rinjtë
• Ndërtuesit duhet që në çdo bllok banimi të ndërtojnë një bibliotekë, një ambient sportiv si dhe qëndra rekreative për të rinjtë.
• Ambientet e shkollave publike duhet të jenë të hapura për publikun pa pagesë, gjatë gjithë kohës.
27. Tribunali i punës
• Të ngrihet një tribunal i punës, i cili vepron për zgjidhjen e konflikteve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
• Ky tribunal vepron me juri dhe i gjykon çështjet e konflikteve brenda një seance gjyqësore.
• Juria përbëhet nga punëtorë dhe punëdhënës të përzgjedhur rastësisht.
28. Statusi i minatorit
• Trajtimi i veçantë për minatorët, duke ulur moshën e pensionit në 50 vjeç, dhe 10 vite punë në minierë.
• Kur një minator aksidentohet në punë, ai ose familja e tij, përfiton për 10 vite të njëjtat ardhura me pagën e tij në momentin e aksidentimit.
• Minatorët përfitojnë sigurim shëndeti privat dhe sigurim jete të paguar nga punëdhënësi i tyre.
29. Jo me paratë e mia
• Për dy vite, një vit para dhe një pas zgjedhjeve, nuk mund të emërohen ose shkarkohen më shumë se 2% e nëpunësve civil të punësuar në një institucion publik.
• Përgjegjësia për shkarkimet e padrejta nga puna të nëpunësve civil, është e zyrtarit që ka vepruar në dashakeqësi, duke abuzuar me pushtetin publik.
• Çdo dëm financiar apo penalitet që i vjen buxhetit të shtetit, prej veprimeve të padrejta të shtetit, është përgjegjësi individuale e titullarit të institucionit përkatës, dhe paguhet prej tij.
• Gjithashtu çdo detyrim financiar që i ngarkohet institucionit me vendim gjyqësor, duhet të paguhet nga zyrtarit përgjegjës.
30. Shërbimi shëndetësor
• Spitalet vetëadministrohen, duke i hequr pushtetin ministrisë së shëndetësisë për të tenderuar shërbime apo produkte.
• Bordi i administrimit të spitaleve përbëhet nga personeli mjekësor, personeli ndihmës, dhe shoqatat e pacientëve.
• Bordi nuk mund të jetë më i vogël se 100 anëtarë, prej të cilëve 70% janë zgjedhur nga grupet përfaqësuese dhe kanë një mandat 4 vjeçar, ndërsa 30% zgjidhen rastësisht nga të njëjtat grupe dhe kanë një mandat 6 mujor.
• Ministria publikon një listë referencë për shërbimet spitalore dhe jo spitalore për shërbimet e marra në institucionet publike.
• Karta shtetërore e shëndetit mbulon shpenzimet e kryera nga pacientët, deri në nivelin e përcaktuar nga lista referenciale e çmimeve, që është gjithmonë 100% në institucionet shëndetësore shtetërore.
• Fondet e ISKSH përdoren ekskluzivisht për të mbuluar shpenzimet shëndetësore të të siguruarve. Nëse në fund të vitit ka fonde të mbetura, atëherë tepricat mbahen në buxhetin e ISKSH, duke ulur tarifën standard të sigurimit për vitin pasues.
• I siguruari ka të drejtë ta përdorë sigurimin e tij shtetëror në çdo institucion shëndetësor.
• Nëse një spital publik pëson për dy vite rradhazi një rënie vjetore me 20% të numrit të pacientëve të trajtuar, bordi i administrimit shpërndahet automatikisht, duke mos lejuar asnjë prej anëtarëve ekzistent që të rizgjidhen.
31. Shkolla demokratike
• Drejtorët e shkollave dhe mësuesit zgjidhen nga komunitetet shkollore.
• Drejtori i shkollës zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, në një votim të përgjithshëm ku marrin pjesë të gjithë mësuesit dhe prindërit. Mandati i tij është tri vite, me përjashtim të rastit kur ka vetëm një kandidat në garë, në të cilin rast mandati është vetëm gjashtë muaj.
• Mësuesit zgjidhen nga komuniteti shkollor. Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Pedagogjik përzgjedhin tri kandidatura përmes një konkurimi të hapur. Këshilli Studentor skualifikon një prej këtyre dy kandidaturave dhe dy të tjerat i shkojnë drejtorit të shkollës, i cili emëron njërin prej tyre.
• Ministria e arsimit mbyll të gjitha shkollat që janë në zona të largëta dhe të pabanuara, dhe garanton transport falas për në shkollë për çdo fëmijë shqiptar, që jeton në zona të largëta.
32. Arsimi i lartë dhe shkenca
• Dekanët e fakulteteve dhe rektorët e universiteteve nuk mund të rizgjidhen më shumë se një mandat brenda të njëjtit universitet.
• Arsimi i lartë është falas për çdo student që vjen nga një familje me të ardhura nën 500 Euro në muaj.
• Qeveria vendos tarifat tavan të universiteteve të cilat përfitojnë nga fondet e buxhetit të shtetit, në mënyrë direkte apo të tërthortë (përmes financimit të projekteve kërkimore). Ato institucione të arsimit të lartë që i tejkalojnë këto tarifa përjashtohen nga përfitimi prej fondeve publike.
• Tarifat e fshehura ndalohen me ligj, dhe çdo shërbim përshihet në tarifën vjetore të studimit.
• Pesha e votës së studentëve për përzgjedhjen e drejtuesve të universitetit barazohet me votën e personelit akademik dhe jo akademik.
• Universitetet private kanë kufizime në pronësi, duke mos lejuar asnjë aksioner që të posedojë më shumë se 30% të aksioneve. Një pjesë e aksioneve janë të mbrojtura dhe mund të posedohen vetëm nga pedagogët dhe stafi administrativ i universitetit.
• Qeveria financon krijimin e parqeve shkencore dhe krijimin e një eko-sistemi për startup-et në shkencë.
• Çdo nismë ligjore e qeverisë duhet të ketë të bashkangjitur raportimin kërkimor të impaktit, të përgatitur nga ekipet akademike të një prej universiteteve vëndase.
33. Projektligji Mirush Kabashi
• Arti shkëputet krejtësisht nga qeveria, duke shkëputur varësinë e teatrove, dhe galerive publike nga Ministria e kulturës.
• Këshillat Artistik dhe drejtuesit e teatrove zgjidhen me votim të drejtëpërdrejtë nga trupa e aktorëve.
• Fondet e teatrove vetëadministrohen prej tyre, dhe vendimmarrja është në dorën e këshillave artistik, të cilët zgjidhen dhe përbëhen nga trupat e aktorëve.
• Shteti cakton një fond vjetor për të ndihmuar artistët, i cili garanton financimin e të paktën 12 shfaqjeve të reja në vit për çdo teatër. Tri prej këtyre shfaqjeve zgjidhen me votimin online të publikut, ndërsa të tjerat përzgjidhen nga këshillat artistik.