Nga Elidon Lama E Hënë. Ora 7 e mëngjesit. Zbres nga shtëpia dhe shkoj të marr makinën. Mendoj: Po nxitova ndoshta nuk më kap trafiku. Ky mëngjes me shi është ideal për tu mbështjellë nën batanije e për të kërkuar veç 5 minuta më shumë gjumë. Të tjerët do jenë akoma duke luftuar me telefonat e tyre dhe me zilen e mëngjesit. Por unë e fitova këtë betejë të vogël dhe sot jam në avantazh ndaj tyre. Me këtë ndjenjë vetkënaqësie e shpejtoj hapin. Prit! Po makinën ku e kam parkuar! Aq herë sa u rrotullova në lagje mbrëmë për të gjetur parkim, tashmë më ka dalë fare nga mendja. Kjo nuk duhej! Minutat janë të shtrenjta. Kam për tu vonuar dhe do humbas avantazhin e fituar me sakrificën gjumit të mëngjesit. Prit të kujtohem! Te rrugicat poshtë shtëpisë ishte plot. Afër marketit, edhe atë vendin pak të fshehur që kam zbuluar e kishin zënë. Te furra e bukës ishin bërë rradhë makinat që prisnin me bllokazh ndezur që të lirohej ndonjë vend. Atëherë ku e kam lënë! Më ka dalë fare nga mendja. Kujtohu, kujtohu, kujtohu… ah po! E kam lënë në parkim me pagesë. Pas tre çerek ore duke ardhur vërdallë kot e duke mos gjetur gjë, isha mërzitur dhe e kisha çuar aty. Bën mirë të nxitoj, është nja 5 minuta rrugë me hap të shpejtë. Arrij. Përshëndetem me rojen. I jap 3 mijë lekë dhe nisem. Nxitoj të dal në rrugën e Kavajës. Me siguri sot do shkoj më herët e do i kem 10 minuta kohë për ta pirë i qetë kafen e mëngjesit. Ndoshta i hedh një sy edhe titujve të gazetës së sportit. Duhet ti telefonoj patjetër edhe administratorit të pallatit. Mbrëmë nuk kishte ujë as për të larë fytyrën. Edhe kur erdhi për disa minuta nuk bënte as për të pastruar këpucët. Dal në rrugën e Kavajës. 7 betoniere e kamiona ma bllokojnë komplet pamjen. Nuk shoh dot as semaforin. A është jeshile apo e kuqe?! Ç’rëndësi ka! Për të lëvizur s’po lëvizin fare. Qenka bllokuar nga të dyja krahët. Lamtumirë ëndrrave të kafes së mëngjesit në shoqërinë e gazetës së sportit. Me sa duket ka për të qenë një mëngjes i gjatë. Mbyll xhamin se boritë e makinave nuk pushojnë. Edhe tymi i betonieres që kam në krah më vjen i gjithi brenda. Ndez radion. Më mirë pak muzikë se sa gjullurdia që bëhet jashtë. Ndërkohë, në radio po jepen lajmet. 14 mijë shqiptarë paskan kërkuar azil në 6 muajt e parë të këtij viti. Tërmeti ka lënë të pastreha disa familje në Durrës. Në Tiranë banorët po vuajnë prej javësh problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Kryebashkiaku Veliaj shprehet i lumtur për punët e bëra në Tiranë dhe për çmimet e marra në Singapor për memaxhimin e ujit dhe në Vjenë për menaxhimin e financave. Çfarë paradoksi – mendoj! Gjithësesi, Erion Veliaj është djalë i mirë dhe punëtor! Tirana sot për sot është komplet qytet tjetër! Të gjithë kështu thonë. Edhe në televizor, edhe në facebook, të gjithë flasin mirë për të. Ndërkohë kjo betonierja para po lëviz me 2 km në orë. Pas meje rreshti i makinave ka shkuar deri sa më zë syri. Njerëzit janë zgjuar dhe tani të gjithë po nxitojnë. Prindërit për në punë, fëmijët për në kopështe, çerdhe e shkolla. Të gjithë nxitojnë, por me sa duket asnjëri nga ne s’ka për të arritur në orar. Jemi bërë shumë veta në këtë qytet, në këtë hapësirë, dhe tani kemi ngecur si miu në çark. Nuk e di çfarë mund të ndodhë kur të zbrazen dhe këto betonieret që kam para, kur të përfundojnë edhe këta pallatet që po ngrihen. Kush e di sa do bëhemi! Kush e di si do ja bejmë! Gjithësesi, si do që të jetë, në radio kryebashkiaku Erion Veliaj po thotë se Tirana nuk ndalet më. Pak paradoksale kjo ndërkohë që të gjithë kemi ndalur në trafik! Me minuta të tëra! Me ditë të tëra! Një jetë të tërë! Mendoj: Cili është ndryshimi midis dikujt që jeton në Tiranë dhe një prostitute që shet trupin e saj në rrugët e Italisë. Të dyve u kalon jeta në semafor. Secili për motive të ndryshme, por në fund të fundit në të njëjtin vend kanë ngecur! Ndërroj stacionin e radios. Kjo pritja në trafik më ka irrituar çik dhe tani po ja fus kot me këto mendime. Më mirë pak muzikë për tu relaksuar. Edhe koha kalon më shpejt. Në radio një tjetër kryebashkiak i Tiranës po këndon: “Kjo është Tirona jonë, Tirona e kontraditës…”. Semafori ndërkohë po më verbon me atë dritën e kuqe. Një tjetër dritë e kuqe ndizet! Këtë herë është ajo e llambës së karburantit në makinën time! Si duket, duke kërkuar parkim mbrëmë në darkë, e paskam harxhuar edhe atë 10 mijë lekë-shin karburant që i kisha hedhur çik më parë. Edhe për në punë po më shkon vonë. Ishalla vjen uji! Të paktën këtë!