Bashkohuni
kunder sistemit

Arsimi, një proces i nënvlerësuar.

Nga Besmir Gjini Emigrimi në masë i resursit njerëzor jashtë shtetit po përbën aktualisht një fenomen shumë alarmues. Kjo gjë po ndodh për një fakt të thjeshtë: Atë të kërkimit të kushteve më të mira të jetesës. Ky është indikatori më i qartë i dështimit të qeverisë në ndërtim e politikave për mbrojtjen dhe promovimin e resursit njerëzor në tërësi. Këtë hamendësim do të doja me shumë dëshirë ta mbështesja në statistika. Pavarësisht se në zgjedhjet e 2013 ne na u premtua një transparencë e gjerë nga institucionit i statistikave INSTAT, Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës dhe Emigracioni jashtë shtetit janë matur respektivisht për herë të fundit në vitin 2012 dhe 2011. Në një shtet ku fakti vishet me petkun e gënjeshtrës, e vetmja mundësi për ta matur mjerimin është perceptimi i çdokujt. Në gati 30 vjet tranzicion ne kemi eksportuar më shumë fuqi punëtore sesa shërbime dhe produkte. Në 30 vitet e fundit numri i shqipëtarëve jashtë territoreve të Shqipërisë e ka tejkaluar popullsinë brenda saj. Dhe tani lind pyetja: Ku qëndron problemi? Te distribucioni i pushtetit politik dhe i atij ekonomik do thonit ju. Pushteti politik shtrihet te një grusht njerëzish dhe pjesa më e madhe e të ardhurave u shkojnë më pak se 1% të popullsisë qe janë ose kanë lidhje me pushtetin. Si mund ta zgjidhim këtë problem? Karta 2020 është një përmbledhje e shkurtër me zgjidhje parësore ku në thelb synohet rishpërndarja e resurseve materiale, decentralizimi i pushtetit dhe krijimi i nje sistemi politik ku hapet konkurenca dhe të aplikohet meritokracia. Duke diskutuar, debatuar dhe luftuar me njëri tjetrin për një Shqiperi më të mirë në shumë aspekte, si atë ekonomik, juridik, politik, ideologjik, harrojmë ndonjëherë problemet e vërteta! Nga perspektiva ime ky problem e ka zanafillën akoma më thellë. Në ndërtimin e individit në tërësi arsimi luan një rol shumë të rëndësishëm. Me pak fjalë ai është një proces i përshpejtimit të përftimit të inforamcionit, aftësive, vlerave, besimeve, prirjeve dhe zakoneve. Metodat më të përhapura janë tregimtaria, diskutimi, instruksioni, trajnimi dhe kërkimi. Për ta ilustruar më mirë rëndësinë e arsimit për zhvillimin shoqëror-ekonomik do bazohesha si në të shkuarën ashtu edhe në të tashmen. Historikisht ja vlen analiza e themelimit te universiteteve dhe inputi i tyre në këtë zhvillim. Në qoftë se përmendim universitetet më të vjetra në botë, ndërmjet tyre do të rënditeshin Bolonja, Oksfordi, Salamanca, Parisi, Kembrixhi, Padova, Napoli, Siena dhe Praga. Vendet në të cilat ndodheshin këto universitete (Italia, Anglia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Portugalia) njihen për rëndësinë e tyre në formimin e botës sonë moderne. Kurse shembujt më të mirë bashkohorë janë disa vende të azisë. Nëqoftëse shikoni Studimin e PISAs (rënditjen ndërkombetare të resultateve shkollore nga OECD), atëherë do të shikoni se vendet e para zihen nga shtete aziatike si Singapori, Kina, Japonia, Korea e Jugut, Hong Kongu apo Taiwani. Kjo renditje përkon në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik total apo rritjen ekonomike të viteve të fundit. Ikja e brezit të shumpërgatitur të arsimdhënësve dhe politizimi i zënies së vendeve të punës e kanë gjunjëzuar për së tepërmi sistemin arsimor. Pa masa të menjëherëshme për zhvillimin e sistemit arsimor, sektorët aktualë të ekonomisë do stanjojnë si dhe ndërtimi i sektorëve të rinj ekonomik dhe diversifikimi i saj nuk do ndodhin fare. Ne do të prodhojmë më pak specialistë të kualifikur dhe si rrjedhojë do jemi akoma më pak kompetitivë në tregun rajonal dhe europian. Ky fakt mund ta katalizojë më tepër fenomenin e emigracionit që mund të rrjedhojë në shkatërrimin e strukturës demografike. Skenarët e mëtejshme mund ti imagjinoni vetë! Receta është e thjeshtë: Mbill sot e korr mot. Pa rritur buxhetin për arsimin, pa rritur mirënjohjen ndaj arsimdhënësve në mënyrë monetare dhe shoqërore, pa krijuar një sistem të bazuar në meritokraci, pa u dhënë më shumë autonomi subjekteve shkollore për vetëorganizim në mësimdhënie, pa ndërrmarrë hapa në dixhitalizimin e mësimdhënies, pa rritur kualitetin dhe kontrollin e mësimdhënies, do të jetë e vështirë të krijojmë baza për një shoqëri sociale në shërbim të njëri tjetrit. Mos hesht më! Bashkohu edhe ti për ndryshimin e sistemit!