Kandidatët Tanë


Unë jam EJONA HIMA. Lindur dhe rritur në Tiranë, jam shkolluar dhe edukuar po ashtu në Tiranë. E theksoj këtë, pasi prej 6 vitesh jam shpërngulur të jetoj në Korçën time të dashur dhe të respektuar nga të gjithë ne. Ka ardhur koha të marr një vendim të rëndësishëm në jetën time, t’i bashkohem Nismës Thurje dhe të bëhem pjesë e saj si kandidate për deputete për Qarkun e Korçës. Për këtë vendim jam menduar gjatë, por më gjatë kam pritur këto 30 vjet që në këtë vend gjërat të ndryshojnë dhe të marrin një rrjedhë tjetër. Fatkeqësisht, ndryshimi që kemi shpresuar, nuk ka ndodhur.Shumë prej jush më njihni, jo vetëm në Korçë, por në çdo cep të Shqipërisë për kontributin që kam dhënë në formë vullnetare në fushën e turizmit të vendit dhe të gjithë trevave shqipfolëse. Turizmi është çelësi magjik i këtij vendi! Me ardhjen time nga Gjermania si studente asaj kohe me entuziazëm dhe përkushtim, kam dhënë kontributin tim modest, por të specializuar në trajnime dhe kualifikime të shumta të kolegëve të mi në këtë fushë. Vendimi për t’u shpërngulur në Korçë, ishte i vështirë përballë mundësive që më ofronte Tirana, por unë e dua Korçën dhe falë guximit dhe dëshirës sime të pakthyeshme dhe mbeshtetjes së familjes sime, ja ku jam me respekt, nder dhe plot dashuri në këtë qytet të bukur me plot potenciale. Prandaj në këto zgjedhje parlamentare, po ju kërkoj mbështetjen tuaj drejt një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë për të përfaqësuar zërin e qytetarëve korçarë në Parlament. Për të gjithë ju që më njihni dhe i dini më së miri sfidat e mia për ju miq kolegë, zotohem t’ju prezantoj denjësisht, për ju nëna që sikurse unë keni bërë sakrifica të mëdha në jetë, për ju vajza dhe djem të rinj që dëshironi të punoni dhe të shpërbleheni, ashtu siç e meritoni . Për të gjithë shqiptarët që largohennga ky vend duke përsëritur të njëjtën frazë “S’bëhet ky vend.” Po, po ky vend do bëhet se këtë e duam ne dhe nëse secili prej nesh jep sado pak kontribut individual në fushat përkatëse profesionale dhe në politikë, kjo do të pasohet me zhvillim ekonomik më pas e një të ardhme dinjitoze për ne dhe fëmijët tanë. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj në këto zgjedhje për të mirën e qytetit tonë, ashtu sikurse më keni mbështetur gjithnjë dhe për këtë Ju falenderoj. VOTO NR.7 EJONA HIMA