Kandidatët Tanë


Sot të rinjtë nuk e dinë çfarë duhet të bëjnë që të kenë sukses në një vend si yni. Mundësitë për të ndikuar në vendimmarrje janë atrofizuar nga një grup njerëzish që i shërbejnë vetëm vetes. Unë, Amel Pervizi, jam diplomuar në “Financë-Kontabilitet“ fillimisht dhe në “Psikologji“ më vonë. Prej 7 vitesh punoj si ekonomist e njëherazi vazhdoj masterin në Psikologji Organizative. Vij nga një familje e thjeshtë punëtorësh, të cilët sakrifikuan shumë për shkollimin tim. Gjatë protestave studentore të dhjetorit 2018, treguam qartë se kalbja e këtij sistemi nis nga arsimi. Politika artikulon vetëm shifra si shpëtimtare për sistemin arsimor, sikur problemi i vetëm të ishte tarifa. Studentët mësojnë me literatura të para 20 viteve, në një sistem arsimor ku akoma testohet memorizimi mekanik e ku jeta studentore është e etur për aktivitete. Unë, dua ta dëgjoj zërin e studentëve në vendimmarrje, për të ardhmen tonë, për literatura bashkëkohore dhe për kërkime të mirëfillta shkencore që justifikojnë titujt akademikë.