Kandidatët Tanë


Në këto zgjedhje parlamentare dua të përfaqësoj dinjitetin njerëzor. Atë dinjitet që politikanët e zhytur
në lakminë e pushtetit na e kanë vjedhur, poshtëruar e shkelur me këmbë. Unë quhem Danjel Çoku,
kandidat për deputet në qarkun e Lezhës. Jeta ishte e padrejtë për mua. Që i vogël jam detyruar të
qendroj ulur në një karrocë me rrota, nga ku shoh gjithçka.
E shoh këtë vendin tim të bukur, plot jetë e shpresë por edhe atë e kanë ulur në një karrocë me rrota.
Zhvillimi i tij, ekonomik e social, po ecën po aq ngadalë sa ne personat me aftësi të kufizuara. Mua më uli
Zoti por Shqipërinë e kanë ulur pushtetarët, e kanë ulur dhe e shtyjnë sa në një krah në tjetrin duke mos
e lënë kurrë të bëjë një përpjekje për t'u ringritur.
E kanë sakatuar e masakruar këtë Shqipërinë tonë të bukur dhe unë e kuptoj po aq mirë sa ju. Mua dhe
qindra e mijëra shokë e shoqe të mia, të ulur po në karrocën me rrota na kanë harrur. Nuk i bie në mend
askujt nga deputetët sepse ashtu si e ardhmja e vendit, edhe ne kërkojmë mbështetje. Nuk jemi të
varfër, jemi të vjedhur.
Por a ka mbetur më se çfarë t'i vjedhësh një personi me aftësi të kufizuara sot?! A ka mbetur më se çfarë
t'i vjedhësh Shqipërisë tonë të dashur sot?! Nuk dua më të hesht, kur bërtasin të rinjtë,
e të rinjtë emigrojnë. Nuk dua më të hesht, kur thërrasin mirëqënie, e mirëqënie nuk ka. Nuk dua më të hesht, kur ata
na shohin si njerëz të mjerë por nuk është ashtu, të mjerë janë ata.
Personat me aftësi ndryshe kanë një jetesë shumë të vështirë. Na mungon infrastruktura, shërbimet,
trajtimi e barazia. Mendoni dy prindër të një fëmije me aftësi ndryshe që me zemër në duar përpiqen t'i
sigurojnë mbijetesën fëmijës së vet? Mjaft më! Unë nuk dua të hesht kundra njerëzve që na
vështirësojnë e na pamundësojnë një jetesë njerëzore!
Historia më ka mësuar se Shqipëria nuk ka pasur qeveri që ka menduar për njerëzit. Kësaj toke secili prej
nesh duhet t'i japë një dorë. Duhet që investimin më të mirë te shoqëria dhe në politikë ta nisim ne. Si
niset? Niset duke forcuar njëri-tjetrin, e duke rrezikuar pushtetin e deputetëve. Deri më sot kemi votuar
majtas e djathtas, pa pasur një alternativë të re në fletën e votimit. Kjo paradigmë duhet të ndryshojë
dhe duhet ta ndryshojmë.
Te "Nisma Thurje" kam kuptuar se duke vepruar, duke e dënuar me votë ata që na kanë zhgënjyer prej vitesh, mund të ndërtojmë një klimë më ndryshe për brezat e rinj. Unë e dua jetën si ju, dhe pse e kam
më të vështirë se ju që ta dua. Unë nuk mund të hesht më dhe dua që të kontribuoj ta bëjmë Shqipërinë
të buzëqeshë, që nënat e baballarët tanë të jenë pak më të lumtur, që të krijojmë mundësinë që çdo
emigrant të dëshirojë të kthehet në vendin e tij, jo ta braktisim atë. Nëse edhe ti e do Shqipërinë, jetën,
barazinë, drejtësinë, eja ta thurim bashkë një të ardhme të sigurtë. Prindërit tanë nuk mundën, ndoshta
nuk i lejuan, por ne e kemi në dorë ta bëjmë këtë gjë!
DANIEL COKU