Kandidati nr 2, Qarku Kukes
Kur isha në gjimnaz doja të largohesha nga vendi im për t’i vazhduar studimet e larta diku jashtë. Duke qenë shumë larg ngjarjeve aktuale, realitetit të trishtë, arsyeja e vetme që më nxiste për t’u larguar ishte krijimi i një përvoje të re dhe më pas kthimi në vendin tim për ta ndërthurur përvojën e huaj me atë të vendit tim. Vitet kaluan dhe jeta mori një tjetër rrjedhë. Për arsye të forta familjare, m’u desh të qëndroja dhe ta vazhdoja në Tiranë shkollën e lartë. Ndërsa dëshira për t’u largaur sa vinte e shtohej, asaj i bashkëngjitej një tjetër arsye, qëllimi për një të ardhme më të mirë, ku ‘djersa’ e derdhur do të çmohej dhe do të mund të shikoja vërtet sa vleja!
Kështu, në vitin 2010 nisa studimet e larta pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, për “Përkthim dhe Interpretim” në Degën e Gjuhës Angleze, dhe në vitin 2013 përfundova Programin e Studimit “Bachelor” me vlerësime të larta. Tashmë, nuk ia vlente të largohesha nga vendi im për të vazhduar programin e studimit ‘Master’ dhe vendosa ta lija për një moment tjetër, pasi të përmbushja me sukses ciklin 5-vjeçar të studimeve. Kështu që, gjatë periudhës 2013-2015 përfundova Programin e Studimit “Master i Shkencave” me profil “Përkthim Teknik-Letrar dhe Interpretim” në Degën e Gjuhës Angleze pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, ku si rrjedhojë e rezultateve shumë të larta u vlerësova me “Medalje të Artë”.
Nuk mund ta harroj mbrëmjen e ceremonisë ku studentët e ekselencës do të vlerësoheshin me medalje të artë! Im atë tej mase i emocionuar, ndërsa unë aspak! E zhgënjyer, ndonëse e ndjeja dhe ende e ndjej veten me fat që pata mundësi të mësohesha nga njerëz të mëdhenj dhe të palodhur të dijes, ndihesha e zhgënjyer, e pavlerësuar nga vendi im, nga drejtuesit e tij. Ndonëse me rezultate të larta, vendi im, shteti im, nuk më krijoi kurrfarë përparësie dhe nuk më ofroi kurrfarë orientimi në gjetjen e një vendi pune apo sigurimin e vazhdimit të studimeve të mëtejshme, ndjekjen e doktoraturës brenda apo jashtë vendit. Përkundrazi, programi i doktoraturës papritmas u mbyll!
Por, përsëri, rrugët m’u hapën nga njerëz të bardhë të cilëve u jam dhe do t’ju jem përjetë mirënjohëse! Menjëherë pas mbarimit të studimeve, në vitin 2015, u punësova si pedagoge e Gjuhës Angleze me kohë të plotë pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe si pedagoge e Gjuhës Angleze me kohë të pjesshme pranë Universitetit të Tiranës. Kështu, ëndrra për t’u larguar nga vendi im filloi të zbehej, ndonëse hera-herës bëhej aq e fortë sa ma mundonte shpirtin dhe mendjen. Kjo e fundit ndodhte kur dëshira për t’u kualifikuar edhe më tej mbytej, pasi për arsye ende të panjohura, të paktën nga unë, rrugët e kualifikimit pasuniversitar u mbyllën nga vetë shteti ynë. Doje apo nuk doje, do të duhej t’i drejtoheshe botës jashtë!
Koha kaloi dhe mundësitë për ta realizuar këtë që dikur e quaja ‘ëndërr’, të kthyer tashmë në një ‘detyrim’ nga vetë vendi im, filluan të dukeshin të largëta. Më duhej të ndihmoja familjen time, tim atë në punë përkthimore, në mënyrë që kjo lloj ‘trashëgimie e bekuar kulturore’ të vazhdonte, dhe jo vetëm, por edhe për të bërë të mundur përballimin e shpenzimeve të paparashikueshme për të bukurën mamin tim, e cila tanimë është një ëngjëll i bardhë lart në qiell.
Kurrë më parë, unë, Era Buçpapaj, nuk e kisha menduar t’i bashkohesha politikës.
Ftesa, e cila më erdhi në një ditë të shenjtë për mua, u pranua pa hezitim. Sot jam mëse e lumtur që jam pjesë e saj, e një lëvizjeje e cila ka bërë bashkë të rinj nga e mbarë Shqipëria, të zhveshur nga ngjyrimet poltike apo interesat vetjake. Vërtet nuk kam lindur në qytetin e prindërve të mi, Bajram Currin (Tropojën e bukur), por përherë e kam ndjerë veten malsore. Si Kuksi, Hasi dhe Tropoja janë të bekuara nga dora e Zotit, por të harruara nga dora e njeriut. Do të doja shumë t’i shikoja këto vende me natyrë përrallore të gëlonin nga të rinjtë, aktivitetet e shumta që sjellin bashkë njerëzit, dhe të veshura me tinguj të hareshëm. Do të doja shumë që këto toka të mos braktiseshin, të mos u kthehej kurrizi, apo të liheshin në harresë. Ndonëse nuk kam përvojë në këtë drejtim, jam orvatur përherë të bëhem një model i shëndetshëm, modeli që do të doja vetë të ndiqja, pasi ndryshimi, sado pak, duhet filluar nga vetja.
Uroj që vota juaj të shkojë tek ata/ato që vërtetë do ta meritojnë kohën dhe besimin tuaj.