Kandidati nr 9, Qarku Tirane
Quhem Dorela Kroni dhe do të kandidoj në qarkun e Tiranës më 25 Prill!
U linda në Shkodër në vitin 1984 nga dy prindër të mrekullueshem, inxhinierë të lartë në profesion. Mua dhe motrën time, prindërit na rriten me frymën që "janë kohë të vështira" për të qënë vajza. E vetmja zgjidhje është të mësosh, të mësosh shumë, të bëhesh e pavarur, të kesh mendimin tënd dhe zërin tënd në shoqëri. Këto "kohë të vështira" kanë 36 vjet që zgjasin!
Përfundova studimet e larta për Mjekësi, por Tirana ishte e paarritshme për të punuar mjeke në qëndër shëndetësore, prandaj u detyrova që për punën time të parë të bëja 3 orë udhëtim me autobus Tiranë- Bushat (Shkodër) dhe 30 min këmbë rrugë nacionale Shkodër- Qëndër Shëndetësore Melgushë dhe anasjelltas! Më dukej vetja si në filmin ''Zonja nga Qyteti'' që sigurisht nuk ishte xhiruar në vitin 2008. Paga ishte 35.000 lekë dhe një pjesë e madhe shpenzohej për vajtje-ardhje në punë. Zhvillimi profesional ishte jo ekzistent, mjetet e punës dhe mjekimet për pacientin mungonin. Atje ishe vetëm, jashtë sistemit shëndetësor. Specializimet afatgjata ishin bllokuar për disa vite.
Sigurisht kjo nuk ishte puna për të cilën kisha thurur ëndrra. Prandaj pa bërë një vit, unë GUXOVA duke kaluar në një sektor të ri, privat, sfidues, në lulëzim për atë kohë, në sektorin farmaceutik. U pranova për të punuar në një nga kompanitë multinacionale, lider në botë, me përfaqësi në Shqipëri dhe që nga ai moment jeta ime profesionale ndryshoi rrënjësisht. Aty mësova kulturën e punës, të drejtat e punonjësit, etikën profesionale, konkurencën e shëndetëshme, edukimin në vazhdim, inovacionin, zhvillimin e aftësive të reja profesionale, meritokracinë, krijimin dhe ruajtjen e talenteve, të punuarit me integritet dhe transparencë, shpirtin e skuadrës, të punuarit me vizion.
Ndërrimi i qeverive në 2013 krijoi një klimë jo të favorshme për bizneset e huaja në Shqipëri, korrupsioni arriti majat në Shendetësi dhe kompania në vitin 2015 vendosi të largohej sepse rreziku që i kanosej ishte më i lartë se benefiti që Shqipëria jonë e vogël i sillte një korporate të tillë. Pas disa ecejakeve në sektorin privat të punës në shëndetësi ndërkohë që opsionet në sektorin publik ishin gjithmonë të mbyllura, në 2018 fitova të drejtën e specializimit afatgjatë në Mjekësi Transfuzioni dhe në 2019 ndërmora hapin tim më të rëndësishëm profesional: SIPËRMARRJEN.
Sot kam sjellë në Shqipëri 3 biznese të huaja (italian, gjerman dhe francez) të cilët janë bashkëpunëtorët e mi për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Sot bëj pjesë në dy projekte të mëdha kërkimore europiane. Sot investoj në edukim dhe informim të popullatës dhe të personelit mjekësor. Sot kam krijuar mundësi punësimi për të rinj të cilëve realiteti aktual në shëndetësi nuk i përputhet me çfarë kishin ëndërruar. Sot ndjehem më e FORTË se kurrë për të filluar një rrugëtim tjetër të rëndësishëm, atë politik, atë të ndryshimit të vendit. Kjo sepse unë nuk e kam humbur SHPRESËN!
Në 25 Prill, unë do jem aty me numrin 9, në listën e Nismës Thurje për Qarkun e Tiranës!
VOTO Nisma #Thurje
VOTO Dorela Kroni Numri 9. DORELA KRONI